RSS

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve, dukuri shqetësuese

27 Apr

femijaShfrytëzimi seksual i fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos raportohet tek autoritetet kompetente dhe vazhdon të trajtohet si një temë tabu.

Ky konstatim u dha të premten, gjatë prezantimit të një hulumtimi të bërë nga institucioni i Avokati të Popullit të Kosovës – “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në Kosovë”.

Nga ky hulumtim të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se nga viti 2008 deri në vitin 2011 janë raportuar 182 raste të shfrytëzimit seksual të fëmijëve.

Nga gjithsej 182 fëmijë, 174 janë të gjinisë femërore, ndërsa 8 të gjinisë mashkullore.

Viktimat janë kryesisht të moshës 14 – 16 vjeç, në të shumtën e rasteve janë shqiptarë të Kosovës, por ka raste kur ato janë të nacionalitetit rom, boshnjak dhe serb.

Sa i përket statusit arsimor shumica e këtyre fëmijëve kishin braktisur shkollën.

Në hulumtim, thuhet se viktimat vijnë nga familje ku ka dhunë, janë në gjendje jo të mirë ekonomike, mirëpo ka raste kur viktimat vijnë edhe nga familjet me gjendje të mirë financiare dhe familjet e të kthyerve nga vendet e Evropës Perëndimore.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka theksuar se është shqetësuese kjo dukuri në Kosovë, dhe  ka kërkuar që rastet e tilla të raportohen, të mos fshihen.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve ndryshe quhet pedofilia, edhe ne duhet ta pranojmë se dukuritë e till janë në shoqërinë tonë, nuk ka asnjë shoqëri të pastruar nga këto dukuri. Prandaj ne duhet të flasim haptas, pedofilia, veprat kundër fëmijëve nuk janë çështje private as të familjes janë çështje publike”, shton Kurteshi.

Sa i përket rasteve të shfrytëzimit seksual të raportuara në Policinë e Kosovës, Kurteshi, shprehet i bindur se këto raste janë vetëm një pjesë e realitetit dhe se ka më shumë raste, por të cilat nuk raportohen për arsye të paragjykimeve dhe mos vetëdijesimit të duhur të shoqërisë në Kosovë.

Pas kryerjes së hulumtimit, Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës ka vërejtur se ekzistojnë mangësi në funksionimin e disa institucioneve shtetërore, organeve dhe organizatave të cilat në punën e përditshme përballen me problemin e shfrytëzimit seksual të fëmijëve.

Kurteshi thotë se fëmijëve në Kosovë është duke iu përkushtuar shumë pak vëmendje nga të rriturit.

“Unë kam përshtypjen edhe nga ky raport edhe nga krejt sjelljet tona në të gjitha marrëdhëniet tona duke përfshirë edhe vetveten, jemi duke e tepruar me egoizmin e gjeneratës tonë, duke u fokusuar në konfliktet tona, nganjëherë me egoizëm shumë më të madh duke u fokusuar vetëm në mirëqenien tonë, dhe shumë pak duke menduar për të ardhmen për fëmijët”, thotë Kurteshi.

Rastet e regjistruara, tregon ky hulumtim, ishin të natyrave të ndryshme, por shpesh ka ndodhur që kryerësi është një person i cili është në marrëdhënie të ngushtë me viktimën.

Një shembull që ky hulumtim e jep, kur kryerësi ishte babai i vajzës së vogël.

Drejtori i organizatës “Save dhe Children Kosova”, Ahmet Kryeziu thotë se investimet për mbrojtjen e fëmijëve kanë qenë të pamjaftueshme.

Mungesa e vazhdueshme e fondeve të qëndrueshme për mbrojtjen e fëmijëve, shton Kryeziu, ka vënë fëmijët në rrezik të mëtejshëm për të qenë të abuzuar dhe të shfrytëzuar.

Deri më sot shkalla aktuale e plotë e dhunës dhe abuzimit të fëmijëve në Kosovë është e panjohur pasi që besohet se shumica e saj mbetet e pa raportuar për shkak të mungesës së vetëdijes dhe të shërbimeve të viktimës si dhe kapaciteteve të limituara të autoriteteve për të identifikuar, raportuar dhe referuar rastet e abuzimit”, thekson Kryeziu.

Avokati i Popullit rekomandon institucionet që të bëjnë punë më efektive në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, parandalimin e paraqitjes dhe fuqizimin e luftës kundër shfrytëzimit seksual, e në veçanti për përmirësimin e gjendjes së fëmijëve viktima të keqpërdorimit seksual dhe shfrytëzimit.

Po ashtu ata rekomandojnë, themelimin e regjistrave për kryesit e veprave penale kundër integritetit seksual të fëmijëve që të shmanget çdo mundësi që këta persona pas vuajtjes së dënimit të përfshihen në punën me fëmijë.

Ndryshe, hulumtimi i Avokatit të Popullit, “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në Kosovë”, është realizuar përmes anketave dhe intervistave ku kanë qenë të përfshira qendra për punë sociale, prokurori, gjykata,  policia, shërbime arsimore dhe shëndetësore, si dhe organizata joqeveritare që merrem më mbrojtjen e fëmijëve.(Luljeta Krasniqi – Veseli-Evropa e lire)

 

 
Leave a comment

Posted by on April 27, 2013 in News

 

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: