RSS

Sot – Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

03 May

gazetat liria e shtypitSot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Tre maji ka marrë këtë epitet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe liria e shprehjes është ruajtur në Nenin 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Në raportin që shënon 20-vjetorin e kësaj dite, organizata Amnesty International ka thënë se rebelët sirianë dhe trupat e regjimit janë përgjegjës për vrasje, arrestime dhe keqtrajtime të gazetarëve.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka publikuar ndërkohë listën vjetore të vendeve, ku gazetarët vriten rregullisht dhe qeveritë dështojnë të zgjidhin krimet.

Indeksi i Mosndëshkimit në vitin 2013 udhëhiqet nga Iraku, për t’u pasuar nga Somalia, Filipinet, Shri Lanka, Kolumbia, Afganistani, Meksika, Pakistani, Rusia dhe Brazili.

Të mërkurën, edhe organizata Freedom House ka publikuar raportin vjetor për lirinë e mediave në botë, ku sivjet ka konstatuar rënie në shumicën e vendeve.

Kosova edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira sa i përket lirisë së mediave.(rel.tupani)

Mediat dhe varësia nga grupet e interesit

Tregu i varfër, në të cilin gjenden mediat sot në Kosovë, ka bërë që disa prej tyre të varen, në disa raste, nga grupe të caktuara politike apo ekonomike.

Përfaqësuesit e asociacioneve të gazetarëve në Kosovë, raportin e organizatës “Freedom House”, që flet për lirinë e mediave, e shohin si real.

Kosova edhe këtë vit, sipas raportit, është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se gjendja e lirisë së shprehjes në vend është e tillë çfarë edhe është raportuar nga “Freedom House”.

“Nuk ka se si të jetë ndryshe, e kam fjalën në aspektin e mospërmirësimit të statusit të Kosovës në kuptimin e lirisë së mediave, për shkak se rekomandimet ose gjendja, e cila tregohet në raportet paraprake, nuk merret seriozisht prej institucioneve”, thotë Mushkolaj.

Duke u bazuar në raportin e “Freedom House”, bordi drejtues i Unionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se edhe këtë vit Kosova ka pësuar rënie edhe për një vend, sa i përket lirisë së shprehjes.

“Kjo gjë është faktike edhe në terren, sidomos në javët e fundit sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve të medieve, përveç që janë shpeshtuar, janë bërë më të ashpra dhe më të egra”.

“Kërcënimet për jetën e gazetarëve dhe punëtorëve të medieve, si dhe familjarëve të tyre, kanë marrë një hov të madh gjatë vitit të fundit dhe kjo është shumë shqetësuese”, thonë përfaqësues të bordit të UGK-së.

Drejtori ekzekutiv i AGPK-së, Mushkolaj, konsideron se politika dhe grupet e bizneseve janë ato që në një farë mase, po e cenojnë lirinë e shprehjes.

“Është e vërtetë se grupet politike, gjithashtu edhe grupet e biznesit dhe grupet e tjera të interesit, kanë shumë ndikim në kuptimin që pengojnë lirinë e shprehjes dhe në kuptimin që liria e shprehjes të mos përparojë, respektivisht të mos ketë liri të plotë të shprehjes. Po, në anën tjetër, konsideroj se edhe vetë mediat duhet të jenë ato që me këmbëngulje të mos bien pre e këtyre ndikimeve”, vlerëson Mushkolaj.

Përveç ndikimeve politike në media, edhe marketingu, tash e disa vjet shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave.

Në UGK thonë se normat ligjore në Kosovë, në aspektin e mbrojtjes së lirisë së medieve, janë në pajtim me standarde të larta të vendeve demokratike, por zbatimi i tyre mbetet edhe më tutje një sfidë e vërtetë.

“Në Kosovë tregu medial është shumë i varfër dhe mbijetesa e mediave në këtë treg është pothuajse e pamundur pa mbështetje financiare nga ndonjë burim jo-parimor. Kjo gjë shkakton varësi të medieve, qoftë nga politika, qoftë nga biznese të ndryshme apo grupe interesi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muhamet Jahiri, kryetar i UGK-së.

Një nga faktorët kryesorë që politikën, biznesin e grupet e interesit i shtyn që të tentojnë të bëjnë ndikime në media, është rëndësia që kanë këto të fundit për të krijuar opinion publik.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Shefki Ukaj, thotë se ndikimi i politikës në media dhe i grupeve të interesit është evident, por çështja tani është si të dilet nga kjo gjendje.

“Po shihet edhe në kohët e fundit, që është një ndikim edhe në mediat e shkruara dhe elektronike. Mendoj se duhet të gjenden forma dhe mënyra që ta ndërpresim për shkak të rrethanave dhe proceseve demokratike që po zhvillohen në Kosovë. E gjithë kjo duhet të bëhet në mënyrë që të definohet qartë edhe interesi i mediave, po interesi kryekëput i pavarur”, shprehet Ukaj.

Kurse, sociologu i komunikimeve në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Berisha, thotë se pasi që Kosova është në një krizë jo të vogël edhe në aspektin financiar, mediat kanë nevojë për ndihmë financiare.

Kjo, sipas tij, bën që mediat vendore të ndikohen. Berisha, madje, nuk mendon që do të dilet shpejt nga kjo situatë pa një zhvillim të duhur ekonomik të Kosovës.

“Mediat, në aspektin financiar, janë të dobëta dhe kështu kanë nevojë për ndihmë financiare, ndërsa burimet kryesore financiare kontrollohen nga politika, si në biznesin privat, ashtu edhe në atë publik. Kështu që do të jetë jo i lehtë procesi i pavarësimi të plotë të mediave në Kosovë”, vlerëson Berisha.

Liria e mediave sipas raportit më të ri të organizatës “Freedom House”, në mbarë botën ka rënë vitin e kaluar në pikën më të ulët në disa dekada.(Arton Konushevci REL)

 
Leave a comment

Posted by on May 3, 2013 in News

 

Tags: , , , , , , , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: