RSS

Exit Poll: Në epërsi e majta

23 Jun

exit(E plotësuar) Exit Poll i parë që është realizuar nga IPR Marketing i jep një fitore të jashtëzakonshme opozitës me 52- deri në 56 përqind. Ndërkohë koalicioni i djathtë shkon deri nga 39 deri në 43 përqind.

Në total PS merr nga 37 deri në 41 përqind, LSI merr nga 7 deri në 11 përqind.

Kurse në kampin e djathtë, PD merr nga 33 deri në 37 përqind. PDIU merr nga 1.5 deri në 3.5 përqind.

Ky është një exit poll për orën shtatë, pikërisht kur është mbyllur zyrtarisht votimi.

Do të ketë një exit poll të dytë.
Pak minuta nga mbyllja e procesit, fluks në rritje në qendrat e votimit

Fluksi i qytetarëve që i janë drejtuar qendrave të votimit gjatë orëve të pasdites ka ardhur duke u rritur ashtu siç ishin edhe parashikimet. Korrespondentët tanë në të gjithë vendin njoftojnë për prani të madhe qytetarësh pranë qendrave të votimit.

Në qendrat e votimit të zonës zgjedhore nr. 11, që përfshin rrethin e Kukësit, po rritet ndjeshëm numri i zgjedhësve që po votojnë në këto qendra. Kryetari i KZAZ-së nr.11, Dëfrim Korbi, thotë se “vërehet një fluks në rritje i zgjedhësve që po votojnë, ndërkohë që deri në orën 17.00 kanë votuar rreth 60 për qind e zgjedhësve”. Në zonën zgjedhore nr. 11 Kukës janë të regjistruar për të votuar 41826 votues në 88 qendra votimi.

Në 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit ka ardhur gjithnjë në rritje përqindja e votuesve, ndërsa në QV 50 në lagjen “Skënderbej” është mbushur kutia dhe komisionerët kërkojnë një tjetër kuti, pasi sërish ka fluks me zgjedhës që kërkojnë të votojnë.

Në zonën zgjedhore Nr 20, ku votojnë banorët e bashkisë së Sukthit dhe ato të komunave të Ishmit e Katundit të Ri, deri tani mësohet të kenë votuar mbi 30 për qind e zgjedhësve.

Sekretari i Komisionit Zonal Nr 20, Ani Dyrmishi, sqaron se, procesi zgjedhor në territorin e bashkisë së Sukthit dhe komunave të Katundit të Ri dhe Ishmit, në veri të qarkut të Durrësit po vijon normalisht dhe nga qendrat e votimit nuk është përcjellë asnjë shqetësim. Sipas listave zgjedhore në zonën nr.20 ka 35.911 votues.

Situata zgjedhore në Bashkinë e Himarës, në jug të vendit , është e qetë dhe procesi po zhvillohet normalisht. Pjesëmarrjes në votime deri në orën 17.00, ka qenë rreth 30 përqind.

Zgjedhjet në Shqipëri: 42,17% votuan deri në orën 16.00

Deri në orën 16.00 kanë votuar 42,17% e shqiptarëve. Kjo është shifra zyrtare e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, e cila i referohet te dhënave te të dërguara nga të gjitha qarqet në vend.

Sipas te dhënave te KQZ deri në orën 16.00 numri total i njerëzve që kanë votuar në qendrat nga të cilat ka të dhëna 26.421.

Të dhënat ndërkohë janë duke u përpunuar dhe hedhur në faqen zyrtare të KQZ-se

Zgjedhjet në Shqipëri: 12 incidente në gjithë vendin

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka publikuar raportin e ngjarjeve penale dhe incidenteve që janë regjistruar gjatë ditës së sotme. Në deklaratën e bërë rreth orës 13:00, rezultojnë 12 incidente në gjithë vendin. Më poshtë po publikojmë listën e ngjarjeve, sipas informacionit Policisë së Shtetit.

Qarku Lezhë

Rreth orës 08.45’, të ditës së sotme, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme “At Shtjefën Gjeçovi”, të qytetit të Laçit, ka patur një shkëmbim zjarri, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Gjon Gjoni, vjeç 49, banues në Laç. Po ashtu janë plagosur, shtetasi Mhill Fufi, rreth 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, për Qarkun e Lezhës, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, si dhe shtetasi Kastriot Fufi, vjeç 39, banues në Mamurras, i cili është dërguar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë.

Strukturat e Policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë. Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi të posaçëm hetimor bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Qarku Elbasanit

Rreth orës 11.00’ është marrë informacioni se në një qendër Votimi në qytetin e Peqinit është goditur me mjete të forta nga tre shtetas anëtari i Komisionit i kësaj qendre votimit, si dhe i kanë marrë kartën e identitetit bashkëshortes së tij. Menjëherë nga ana e policisë u shkua në vendin e ngjarjes, ku u bë i mundur identifikimi i personave, si dhe sekuestrimi në cilësinë provës materiale i mjetit me targa TR 5515 K, me të cilin këta shtetas qarkullonin në qytetin e Peqinit. Tre personat e identifikuar janë: Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit tip “Mitsubishi”, Astrit Kashi, Aleksander Bajo, që të tre banues në Elbasan. Këto shtetas janë shoqëruar dhe aktualisht për rastin në fjalë po kryhen veprimet procedurale. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar mjetit u gjeten dhe u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 2 arme zjarri tip automatike, 1 shotgan, si dhe një sasi municionesh.

Qarku Korçë

1. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pajtim Selman Myrtollari, vjeç 51 nga Korça. Ky shtetas ditën e djeshme, rreth orës 23.10’ në vendin e quajtur Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip benz KO 8013, me 11 zarfe me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u ndaheshin personave të ndryshëm për të votuar për Subjektin Politik LSI , ku ky i fundit ishte dhe Koordinator i këtij subjekti. Po lidhur me këtë rast filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal për 2 shtetas të tjerë. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” të parashikuar nga neni 328 i K.Penal.

2. Ndërkohë po në Korçë filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlqim Belul Topa, punonjës i Komunës Libonik dhe Naveljan Shkëlqim Topa, përkatësisht 45 dhe 20 vjeç, pasi akuzohen se rreth orës 22.00’ të ditës së djeshme, në Libonik, për shkak të bindjeve partiake kanë goditur me sende të forta shtetasit Armando Pëllumb Cenolli e Maksi Njazi Cenolli, edhe këto banues në fshatin Libonik. Ndaj tyre u kryen veprimet procedurale e materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim.

3. Rreth orës 10.30’, në qytetin e Korçës, në lagjen nr.4, përballë shkollës 9- vjecare “Nuci Naci”, ka patur një grindje mes shtetasve Edmond Poreci dhe shtetasit Leonard Mitre për motive ende të pasqaruara. Për ndërprerjen e këtij konflikti ka ndërhyrë për ti ndarë kandidati për deputet i partisë socialiste shtetasi Ilirjan Pendavinji, i cili në momentin që po ulte konfliktin është goditur në fytyrë me grushta nga shtetasi Edmond Poreci. Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore dhe po punohet për kapjen e autorit. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçe për veprime të mëtejshme për veprën penale dëmtime të tjera me dashje të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.

Qarku Tiranë

1. Mbrëmë rreth orës 23.30’ në ambientet e një lokali në në rrugën “Pandi Dardha”, është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardi Rrahman Kacnija, 38 vjec, me banim në Tiranë, si dhe janë goditur me mjete të forta 2 shtetas. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen e autorëve të këtij konflikti, si dhe dokumentimin ligjor të saj.

2. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tafil Hysen Daci, vjeç 35, banues në Kamzë, pasi rreth orës 01.45’, në Zall Mner nga kontrolli në mjetin tip “Benz” me targë AA 738 BH, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje.

3. Ndërkohë nga Komisariati i Policisë Kavajë filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasit Emiljano Vullnet Leka, vjeç 29, banues në Kavajë, pasi rreth orës 22.00’, në qytet, gjatë kontrollit të mjetit tip “Skoda” me targë AA 312 GM, të cilin ky shtetas e braktisi për t’i shpëtuar kapjes nga forcat e policisë, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një sasi prej rreth 300 fishekësh, të cilat i mbante pa leje, po ashtu iu gjet dhe sekuestrua një tabelë e Policisë Bashkiake.

Qarkun Vlorë

1. Rreth orës 01.00’ të datës 23.06.2013 në lagjen “Pavarësia”, në qytetin e Vlorës në automjetin tip Ëolksvagen Golf 4 në pronësi të shtetasit Dorian Tafili, me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në pjesën e përparme të këtij automjeti (kofano) ka ndodhur një shpërthim. Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e tij të përparme dhe në momentin e shpërthimit ka qenë i parkuar në vendparkimin përpara pallatit ku banon shtetasi Dorian Tafili. Menjëherë nga Policia është ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vijojnë hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

2. Po në qytetin e Vlorës, në lagjen Uji i ftohtë, rreth orës 05:45’, është shkatërruar pjesërisht automjeti tip BMË X5, me targa AA 768 FN, në pronësi të shtetasit Kreshnik Skënder Tepelena, vjec 31 banues në Vlorë. Mjeti në momentin e shkatërrimit ka qenë i parkuar përpara oborrit të banesës së këtij shtetasi. Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor i cili po punon intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

3. Aktualisht në këtë qark vijon normalisht procesi i votimit dhe nuk janë evidentuar probleme apo incidente brenda apo në afërsi të qendrave të votimit. Vetëm në një rast, në qendrën e votimit Nr. 4665 në qytetin e Sarandës në shkollës “Adem Shema” Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar mbështetjen e policisë, pasi kishte shumë njerëz brenda qendrës së votimit. Pasi është marrë vendimi përkatës, Policia ka ndërhyrë dhe situata është normalizuar. Më pas policia është larguar nga qendra e votimit sërisht me vendim dhe procesi i votimit ka vijuar normalisht.

Qarku Gjirokastër

Rreth orës 10.55’ të datës 23.06.2013, në Qendrën e Votimit nr. 4165 në qytetin e Këlcyrës, komisionerët kanë thirrur policinë për rivendosje të rendit dhe qetësisë publike, me vendim nr. 4 datë 23.06.2013, pasi shtetasi Fatjon Merkaj, ka debatuar me komisionerët e kësaj qendre votimi dhe ka goditur me grushta dy komisionerët Agim Allamani, komisioner i subjektit L.S.I. dhe Dhimtër Qyra, komisioner i subjektit P.D. Më pas është larguar nga Qendra e Votimit.

Pas marrjes së vendimit punonjësit e policisë kanë hyrë në qendrën e votimit për rivendosjen e rendit. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit nr.5, datë 23.06.2013, punonjësit e policisë janë larguar nga Qendra e Votimit drejt vend qëndrimit të tyre. Aktualisht kjo qendër votimi funksionon normalisht pa asnjë problem.(noa)

Nishani: Shqipëria më e rëndësishme se partitë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga bashkëshortja znj. Odeta Nishani si dhe djali i tij, i cili voton në zgjedhjet e 23 qershorit për herë të parë, votuan rreth orës 10.18 në Qendrën e Votimit 1766/2 në shkollën e mesme `Andon Zako Çajupi` në Tiranë.

Menjëherë pas votimit, Presidenti Nishani i bëri apel qytetarëve të vendit të votojnë dhe të tregojnë, maturi, qetësi dhe përgjegjësi civile, duke respektuar procesin e votimit, rregullat, komisionerët dhe administratorët e procesit, që siç theksoi ai, kanë detyrën më kryesore në këtë proces.

Një urim të veçantë Presidenti iu drejtoi të rinjve që sot votojnë për herë të parë. “Një urim të veçantë do të kisha për ata që votojnë për herë të parë, pasi edhe ne si familje kemi djalin që voton sot për herë të parë. Uroj të kenë dorën e mbarë për fatin e vendit”, deklaroi Presidenti Nishani. Kreu i shtetit shprehu mirënjohje për komisionerët dhe numëruesit, që siç tha ai, meritojnë një respekt të madh për marrjen e përgjegjëse dhe ushtrimin e saj, si menaxher të një procesi nga i cili do të dalë parlamenti dhe qeverisja e re e vendit.

Berisha voton: Siguroj qytetarët se vota është e sigurt

Kryeministri Berisha, është i pari politikan që ka votuar. Berisha i shoqëruar me bashkëshorten e tij, Lirie Berisha ka votuar në qendrën e votimin në ‘Liceun Artistik’ në Tiranë. Pas hedhjes së votës Berisha ka bërë një prononcim të shkurt për mediat në lidhje me ngjarjet e fundit. Kryeministri bëri thirrje për një proces të qetë dhe pa incidente, ndërsa shtoi se për një proces të qetë dhe pa incidente, ndërsa shtoi se çdo votë e qytetarëve është e sigurt. Sa i përket ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laç, kryeministri Berisha tha se do të prononcohet për mediat pasi të informohet plotësisht.

‘Të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime. Ftojë në mënyrën më të qytetëruar të votojnë për alternativën që gjykojnë se është më e mirë, i siguroj se vota e tyre do të jetë e sigurt dhe do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për mirëqenien, integrimin etj. Uroj më së pari ata që votojnë për herë të parë, vota e tyre është e bekuar. Falënderoj me mirënjohje më të thellë, edhe ata që kanë ardhur nga të gjithë që anët e botës me një akt madhor patriotizmi për të votuar për Shqipërinë e 4 viteve të vijnë”, tha Berisha, transmeton shekulli.

Kryeministri Berisha pritet të dalë më vonë në një konferencë për media për t’u prononcuar vrasjen e një komisionari në një qendër votimi në Laç.

Shqipëria voton, në Laç 1 i vrarë dhe 2 të plagosur

Incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Laçit. Raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ndërsa dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe dy të tjerë janë plagosur.

Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur para ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’. Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shqipëria voton

Shqipëria sot vendos për fatin e saj, se kush do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, në zgjedhjet të cilat pritet të përcaktojnë të ardhmen e shtetit në integrimet e mëtejshme të saj në Bashkimin Evropian.

Në orën shtatë janë hapur 5508 qendra votimi, ku do të mund ta hedhin votën e tyre mbi 3.3 milion persona me të drejtë vote.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithçka ka rrjedh pa probleme në hapjen e qendrave të votimit, kurse kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi ka bërë thirrje për dalje në votime.

“U bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu, u bëj thirrje komisionarëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lënë mënjanë ndikimit politike”, u shpreh Lleshi për mediat pas votimit, transmeton REL.

Prej rënies së komunizmit dy dekada më parë, Shqipëria ka pasur gjithnjë probleme në organizimin e zgjedhjeve të rregullta, andaj e ka të kushtëzuar kalimin e këtij provimi demokratik për të mbajtur zgjedhje fer, për t’u integruar në BE.
Afro nëntë mijë vëzhgues në total, kanë marr detyrën për të mbikëqyr procesin zgjedhor në Shqipëri, prej të cilëve 1,000 janë të huaj.

Mbi 6200 forca policore janë angazhuar për të ruajtur qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në garë për të drejtuar qeverinë shqiptare janë dy koalicione të forcave politike, demokratët konservativë të prirë nga kryeministri Sali Berisha dhe socialistët opozitar që i udhëheq Edi Rama.

Këto dy forca politike janë mbledhur në koalicion me parti të tjera, ku Berisha udhëheq Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ndërsa Rama Aleancën për Shqipërinë Evropiane.(tribuna)

 
Leave a comment

Posted by on June 23, 2013 in News

 

Tags:

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: