RSS

Adnan dhe Abedin Januzaj Interactive Intervista (Video)

18 Oct

adnan1382080087
Kosovari Adnan Januzaj që zgjoi interesimin e top-klubeve evropiane fal talentit të tij të rrallë dhe sidomos pas dy golave të shënuara kundër Sunderlandit, të cilat ia siguruan fitoren Manchester United, të enjten mbrëma ka folur ekskluzivisht për emisionin Interaktiv të KTV-së.

Në vazhdim po ju sjellim intervistën e plotë me të.

Sa ka qenë e rëndësishme për ty debutimi i plotë në United dhe shënimi i dy golave?

Januzaj: Shumë, prej fillimit kam dashur të luaja për Manchester Unitedin. Kam fituar rastin dhe kam shënuar dy gola, që është gjë shumë e mirë për mua, familjen e tifozët.

– Si e keni përjetuar pas ndeshjes. Si kanë reaguar trajneri dhe lojtarët?

Januzaj: Shumë mirë, të gjithë erdhën e më uruan. Për mua ka qenë gjë shumë e mirë edhe jam i gëzuar që kam shënuar dy gola.

– A ke pritur të kesh këtë minutazh, duke ditur moshën që ke?

Januzaj: Po kam punuar shumë në stërvitje dhe m’u dha rasti të luaja atë ndeshje. E kam ndier se do të shënoja dy gola.

– Si pret të vazhdojë sezoni me Manchester Unitedin?

Januzaj: Kam ardhur të luaj në Manchester, gjithnjë kam dhënë dhe do të jap maksimumin për t’u bërë lojtari më i mirë në botë.

– Si i ke marrëdhëniet me lojtarët. Me cilin ke marrëdhënie më të mira?

Januzaj: Me Robin Van Persie, Patrice Evran… të gjithë lojtarët janë të mirë, kemi marrëdhënie të mira, flasim, diskutojmë.

– Nga kush mund të mësosh, meqë je i ri?

Januzaj: Nga Ryan Giggsi, pasi luan në pozitën ku aktivizohem dhe unë. E pyes atë, ai flet dhe unë e dëgjoj me vëmendje.

– Sa është e rëndësishme që Sir Alex Ferguson të ka sjellë në Manchester?

Januzaj: Me Fergusonin kam pasur marrëdhënie të mira. Ai më ka ftuar për ndeshjen me West Bromwichin, ku kam qëndruar në stol. Tash ka ardhur trajneri i ri, ndoshta ai ka folur me Fergusonin dhe i ka thënë të më jepte rastin. Unë për vete e kam dhënë maksimumin.

– A ke pritur të kesh edhe më shumë minutazh?

Januzaj: Kam dashur të luaja për Manchester United dhe kam dhënë çka kam mundur nga vetja dhe në fund jam shpallur lojtar i ndeshjes.

– Me siguri e di se në Kosovë të përcjellin shumë. Çka do t’u thuash tifozëve prej këtu për suksesin tënd?

Januzaj: I falënderoj shumë, ndoshta do të jap edhe më shumë gola për ta.

– A e viziton Kosovën?

Januzaj: Po vij në Kosovë për vizitë, pasi e kam familjen, të gjithë i kam atje.

– Kush vendos se për cilën kombëtare do të luash?

Januzaj: Babai im është për këto gjëra prapa meje. Po të më thotë babai të luash për këtë kombëtare, do të luaj. Do ta dëgjoj babanë. Kam ardhur këtu me babanë dhe ky i di të gjitha.

– Por për momentin je i koncentruar te Manchesteri apo jo?

Januzaj: Po, te Manchesteri.

– Cili është pozicioni juaj më i preferuar?

Januzaj: Pozita e dhjetëshes, pas sulmuesve.

– A beson se David Moyes do ta besojë atë pozicion apo mund të luash edhe në pozitat anësore?

Januzaj: Po mund të luaj në të djathtë e në të majtë dhe në qendër. Nuk është problem për mua.

– A je i gatshëm të bëhesh i famshëm si lojtarët e tjerë, pasi i ke shënuar këta dy gola?

Januzaj: Do të punoj pak më shumë edhe të arrij suksesin.

– A shpreson të fitosh titullin e kampionit me Manchesterin?

Januzaj: Po, shpresoj dhe besoj. Dua ta fitoj titullin.

abedin januzaj -babai1382080741
Babai i Januzajt: FSHF-ja ia ka mbyllur vetes dyert
Na intereson të dimë historinë e Adnanit. Kush është Adnani, si ka ardhur deri te ky sukses?

Abedin Januzaj: Adnani ka lindur në Bruksel dhe qysh në moshën 3-vjeçare ka filluar të manipulojë me top. Pas dy vitesh e inkuadrova në klubin RWDM Brussels FC. E inkuadrova aty, por saktësisht të them se Adnani kishte kualitete qysh në moshën trevjeçare. Prej asaj kohe ka luajtur në atë ekip deri në moshën dhjetëvjeçare, ku disa klube belge ishin të interesuara që ta merrnin, por ishte i vogël që të ndërronte vend për një klub tjetër. Dhe u thashë që të rrijë deri në moshën 11-vjeçare, derisa klubi ra në diversionin e dytë. Anderlechti shprehu interesim më pas.

– Në çfarë moshe ka kaluar në Anderlecht?

Abedin Januzaj: Në moshën 11-vjeçare. Dhe aty ka vazhduar progresin si lojtar deri në moshën 15-vjeçare. Disa klube me renome ishin të interesuara për të, kështu që mora një vendim që në moshën 16-vjeçare të lëshojë Anderlechtin për të kaluar në Manchester United.

– Pra Manchester i kishte dërguar njerëzit e vet për ta përcjellë?

Abedin Januzaj: Manchester United dhe çdo klub tjetër i çojnë skautët dhe Adnani u ka rënë në sy. Në momentin e fundit shprehën interesim të madh dhe kështu që aty fillojnë edhe negociatat dhe dilema të qëndrojë në Belgjikë apo të shkojë jashtë. Një gjë e di që shumë ekspertë thanë se është i ri për të shkuar, duhet të rrijë në Belgjikë për t’u zhvilluar. Por, unë isha i bindur që me mentalitetin që posedon Adnani dhe me kualitetin që kishte, do të luante një rol të madh në çdo klub, ku do që të shkonte. Disiplinën e ka të lartë. Duke i marrë parasysh të gjitha këto situata, edhe pse Anderlechti është një nga klubet me shkollën më të mirë në Belgjikë, vendosa ta çoja jashtë dhe po shihet kualiteti i tij.

– E dimë se iniciatorë për ta sjellë Adnanin në Manchester ka qenë Sir Alex Ferguson. Si ka qenë ai në raport me Adnanin?

Abedin Januzaj: Fergusoni është një nga trajnerët më me famë në botë. Ai ka shfaqur interes, por djali ka treguar që ka një objektiv në fushë. Dhe kështu që ai i ka dhënë mundësinë që të punojë shumë me të, sepse e ka vërejtur që ka më tepër talent se ndonjë lojtar tjetër. Dhe Adnani ka treguar se është i gatshëm të punojë me të.

– Si duket, është amanet i Alexit që ia ka lënë Moyesit për t’i dhënë minutazh, pasi kujtojmë se Alex Ferguson e ftoi në ndeshjen e fundit kundër West Bromit.

Abedin Januzaj: Po aty e mori me vete, deshi ta aktivizonte, por situata ishte asisoj. Po prej atëherë, ka qenë gjithmonë me ekipin e parë. Adnanin e morën me vete edhe në përgatitje para këtij edicioni. Adnani tregoi disa ndeshje të mira kështu që klubi vendosi t’i japë hapësirë më të madhe dhe ai e shfrytëzoi rastin.

– Debutimin e ka bërë kundër Crystal Palace, luajti 20 minuta.

Abedin Januzaj: Po, pastaj ka luajtur edhe në Superkupën e Anglisë në Wembley.

– Dhe, së fundi ka qenë kundër Sunderlandit, besoj që edhe ju keni qenë në stadium.

Abedin Januzaj: Isha në lojë me vëllanë që jeton në Belgjikë. Ai është një pjesë e rëndësishme për Adnanin, sepse ka qenë shumë afër tij. Ai më ka ndihmuar shumë për Adnanin, sidomos kur ishte në Anderlecht. Çdo stërvitje e dërgonte. Adnani dhe ai kanë një lidhje të mirë.

– Si i përjetove golat, të parin dhe të dytin?

Abedin Januzaj: Unë jam prind i tij dhe jam në këtë fushë, punoj tash e sa kohë. Isha i kënaqur që shënoi golat, por nuk është kjo e fundit. Ka shumë punë për të bërë. Tash kemi hyrë në fazën si duhet arritur në nivel më të lartë. Isha i kënaqur që publiku filloi të shqiptojë mbiemrin. Aty isha i ndjeshëm, por jam i përgatitur për çdo moment. Isha i kënaqur që i morën tri pikë e sidomos kur Adnani e bëri diferencën.

– Pas këtyre golave ka pasur një vëmendje të jashtëzakonshme mediale, për tri ditë me radhë të themi ka qenë nëpër ballina të gazetave angleze?

Abedin Januzaj: Këtu Adnani nuk merret me media shumë. Këtu është larg tyre. Nuk e ka hobi median. Ai është i koncentruar vetëm në fushë.

– E dimë se ju jeni ai që do të vendosni se a do të luajë Adnani me Manchesterin. Si po shkojnë negociatat?

Abedin Januzaj: Negocioatat kanë filluar para gjashtë muajsh. Ka shumë paramentra, por mendoj që nëse çdo gjë shkon mirë dhe janë dakord të dy palët, Adnani ka gjasa të qëndrojë në Manchester United?

– Për sa vjet?

Abedin Januzaj: Nuk dua të konfirmoj, sepse këtu ende nuk kemi firmosur. Por kur të marr një vendim definitiv do ta bëj publike.

– Por, Adnani është duke shkuar në atë drejtim që të mbetet në Manchester?

Abedin Januzaj: Deri tani është në nivel të duhur.

– Edhe pse ka pasur interesim të madh nga klubet tjera.

Abedin Januzaj: Po ka pasur dhe ka interesim të madh nga top-ekipet evropiane duke e ditur edhe situatën e Adnanint që i skadon kontrata në korrik të vitit të ardhshëm. Janë të përfshira ekipe të nivelit të lartë.

– Cilat?

Abedin Januzaj: Nuk mund t’i bëj publike.

– Ka pasur disa zëra për Barcelonën, Juventusin, Milanin?

Abedin Januzaj: Ka pasur zëra, por nuk do t’i bëj publike.

– Ajo që më së shumti diskutohet në Kosovë e Shqipëri besoj e dini, angazhimi i tij në ndonjë kombëtare. Situata e tij është paksa e komplikuar, duke e ditur se ai ka shumë mundësi të zgjedhë. Cilën do ta zgjedhë?

Abedin Januzaj: Do ta publikoj në ditët e ardhshme. Në kohën e fundit është folur shumë në mediet shqiptare se Adnani ka profil në ‘facebook’. Adnan Januzaj nuk ka profil në ‘facebook’, e as unë nuk merrem me të. Në ‘facebook’ po bëhet një fushatë ‘Adnan, thuaj po Shqipërisë’. Këtu dua ta sqaroj sepse është një temë më delikate.

Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë… nuk do të them ofertë se ofertë është diçka tjetër, por nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit për Adnan Januzajn së paku të bisedojmë. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qartë, këtu është duke folur babai i tij.

– Dhe, menaxheri i tij njëkohësisht?

Abedin Januzaj: Dhe menaxheri i tij në disa çështje që unë i kontrolloj. Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata që e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Kohët e fundit vëllezërit më thanë ka qenë një nënkryetar i FSHF-së që ka thënë se kemi biseduar me babanë e Adnan Januzajt që është totalisht gënjeshtër. Para dy netësh më thanë se është bërë një emision në “Klan” dhe duhet ta shikosh patjetër të shohësh se çka flitet aty. Jo, Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë ta refuzoj, sepse nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Manchester United ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, por ata nuk e kanë bërë as atë punë. Para dy ditësh klubi më thotë se një zyrtar i Ministrisë së Shqipërisë ka tentuar të flasë me Adnan Januzajn, çka është gjë absurde dhe që nuk mund ta bëjnë, jo ata, por askush nuk mund ta bëjë se duhet të kalojë në bazë të instancave, njerëz të cilët kanë kompetenca mbi Adnanin, sepse Adnani nuk mund dhe nuk merret me këtë punë dhe kështu ia kanë mbyllur derën vetes. Madje, ka shkuar në emision presidenti apo kush është ai dhe tha ‘nëse e ndien flamurin le të luajë për Shqipërinë, nëse jo le të luajë për Serbinë’. Kjo nuk të le mundësi që t’i japësh një rast ekipit nacional të Shqipërisë që ta inkuadrojë Adnan Januzajn.

– Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar këtë situatë?

Abedin Januzaj: Po, ky është problemi se ata ia kanë mbyllur vetes derën. Tek unë duhet të vijnë vetëm njerëz të cilët janë të përgatitur profesionalisht dhe korrekt.

– A do ta pranonit zotin Duka. Ai është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit?

Abedin Januzaj: Jo.

– Pse?

Abedin Januzaj: Sepse kanë bërë disa dezinformata. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale.

– Do të thotë gjasat janë minimale që Adnani të luajë për Shqipërinë, një ditë?

Abedin Januzaj: Tash për tash nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë. Unë kam lindur në Kosovë, në Istog. Një deputet i Kosovës thotë se ekziston një dokument se Januzaj ka shkuar nga Kroacia. Unë nëpër Kroaci kaloj vetëm kur vijë me pushime, sepse unë kam dalë nga Kosova në vitin ’90 drejt Belgjikës me pasaportë jugosllave në atë kohë dhe kështu që atje jam martuar, shoqen e kam shqiptare nga Istogu. Nuk e di se si qarkullojnë se shoqen e kam nga Kroacia. Ato janë gënjeshtra.

– Shqipërisë përfundimisht nuk i thoni jo?

Abedin Januzaj: Nuk do t’ia mbyll derën asnjë kombëtareje, e posaçërisht ekipit shqiptar. Por derën e kanë mbyllur vetë, sepse kanë bërë dezinformata të çmendura. Thonë që e kemi ftuar në moshën 13-vjeçare, çka është çmenduri dhe për këtë arsye njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Nuk kanë efekt tek unë. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush. Vetëm njerëzit të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet mund të vijnë të ulën të bisedojnë me mua.

– Me Belgjikën si qëndron puna?

Abedin Januzaj: Për Belgjikën tash për tash nuk do të luajë. Do të përqendrohet totalisht për klub. Ka pasur disa tentativa të trajnerit të Belgjikës që ta marrë Januzajn, sidomos kundër Kroacisë.

– Trajneri i Anglisë Roy Hodgson ka thënë se dëshiron që Adnani të luajë për Anglinë?

– Ka pasur disa zëra. Nuk ka thënë se do ta marrë, por ka thënë se e përcjell dhe në qoftë se ka mundësi juridike do ta bëjë kërkesën që eventualisht të bëjë diçka për të. Por ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, edhe në drejtimin e Shqipërisë e Belgjikës. Jam i fokusuar për momentin me Manchester Unitedin.

– Normalisht, shumica dëshirojnë që Adnani të luajë për Kosovën, për vendin e vet?

Abedin Januzaj: Po sepse unë kam lindur aty, po situata politike tash për Kosovën është më delikate, sepse FIFA nuk e ka pranuar FFK-në. Por, këto janë çështje që duhet t’i shikojmë pak më vonë. Nuk përjashtohet që një ditë Adnani të bëhet edhe pjesë e kësaj Kombëtareje.

– Mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për mundësinë që Adnani mund të luajë për Turqinë e Serbinë?

Abedin Januzaj: Këto dy opsione janë të pamundura, nuk e di se si njerëzit e shohin inkuadrimin e Adnanit te Serbia. Nuk ka kurrfarë mundësie. Dikush thotë se edhe Kroacia. Turqia e Serbia janë të përjashtuara si mundësi.

– Çfarë do t’u thuash njerëzve që janë krenarë me Adnanin?

Abedin Januzaj: Unë e kam përshëndetur gjithë popullin shqiptar për përkrahjen dhe i falënderoj të gjithë, edhe Adnani i përshëndet. 90 për qind e popullsisë dëshiron ta dijë se a do të luajë apo jo për Shqipërinë. Njerëzit profesionistë e kanë derën të hapur të flasin me mua, por me ata që dezinformojnë nuk do të flas.

– E kisha fjalën se çfarë do t’u thuash njerëzve që e duan Adnanin?

Abedin Januzaj: Është një publicitet edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë. Adnani po bën bujë në skenën internacionale dhe e di që gjithë shqiptarët ndihen krenarë për sukseset e tij.(koha,tupani)

 
Leave a comment

Posted by on October 18, 2013 in News

 

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: