RSS

Viktimat e dhunës në familje – 98% janë gra

26 Nov

dhunaViktimat e dhunës në familjet kosovare, që sipas statistikave zyrtare të mekanizmave të sigurisë në vend, 98 për qind janë gratë, problem kyç e kanë ri-integrimin.

Gratë të cilat përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike në të shumtën e rasteve nga bashkëshorti, nuk gëzojnë përkujdesje të mjaftueshme institucionale.

Përfaqësues të qendrave që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, thonë se Kosova ka krijuar mekanizma legjislativ me standarde evropiane sa i përket mbrojtjes ndaj dhunës në familje, por e gjitha kjo mbetet vetëm një teori e cila nuk po zbatohet.

Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se dhuna ndaj gruas mbetet një problem mjaft shqetësues në shoqërinë kosovare.

“Fakti që ne në strehimore kemi numër të njëjtë të viktimave të dhunës në familje nga viti në vit, fakti që brenda vitit minimumi kemi 18 deri në 20 raste të grave të strehuara që janë viktima të dhunës në familje dhe pavarësisht krijimit të kornizës ligjore ne nuk kemi eliminim të dhunës ndaj gruas apo zbutje të situatës”, thekson Sherifi.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave e cila shënohet çdo vit më 25 nëntor, vazhdimisht bëhet thirrje që gratë viktima të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike të ngrenë zërin dhe të mos heshtin për dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

Shifrat për rastet të dhunës në familje, asnjëherë nuk mund të dihen saktë për faktin se në shumë raste nuk raportohen.

Në Policinë e Kosovës thonë se në vit numri i rasteve të raportuara arrin në 1,000.

Zëdhënësja në Policinë e Kosovës, Sabrije Kamberi bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë raportuar 448 raste.

“Sa i përket vitit 2011 dhe vitit 2012 shihet një rënie e lehtë e rasteve të raportuara të dhunës dhe po ashtu edhe në bazë të numrit të përgjithshëm të rasteve në vitin 2012  dhe gjashtë mujorin e parë të këtij viti shihet një rënie e  rasteve të raportuara”, thekson Kamberi.

Për mbrojtjen e këtyre viktimave të dhunës në familje, në Kosovë janë disa qendra të strehimit dhe përkujdesjes, por që sipas vetë përfaqësuesve të këtyre qendrave, mekanizmat shtetërore nuk iu afrojnë ndihmën e duhur viktimave.

Naime Sherifi nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë tregon se shumë gra të cilat kanë përjetuar dhunë në familje kanë qenë të detyrua të kthehen  përsëri në atë shtëpi ku kanë përjetuar dhunë.

“Ajo çka nuk funksionon është procesi i ri-integrimit. Në këtë proces pothuajse në Kosovë nuk punohet fare edhe krejt çka bëhet në ri-integrim është puna që bëjnë strehimoret. Nga ana e shtetit në letër ekziston, por në praktikë farë nuk funksionon procesi i ri-integrimit”.

“Nëse mendojmë se një grua në momentin që kthehet tek familja e burrit vetëm se nuk ka pasur ku shkon tjetër është ri-integruar gabojmë, pasi që nuk është ri-integrua por është kthyer në të njëjtin ambient dhe përsëri në një periudhë të shkurtët kthehet te ne”, shton Sherifi.

Shteti, sipas Sherifit duhet t’iu mundësohet grave, viktima të dhunës në familje, ngritje profesionale, punësim, fuqizim ekonomik dhe strehim afatgjatë.

Se viktimat raportojnë më shumë se një herë rastin në polici e konfirmon edhe zëdhënësja e këtij mekanizmi, Sabrije Kamberi.

Po kemi raste të tilla kur raportohet dhuna më shumë se një herë prej të njëjtëve anëtarë të familjes. Aty përdoret forca, kërcënimi, kanosja”, tregon Kamberi.

Në bazë të një raporti të Policisë së Kosovës, arsyet se pse viktimat nuk e kanë raportuar dhunën kanë qenë të ndryshme, duke filluara dënimi social, vartësia dhe shqetësimi nga humbja e kujdestarisë për fëmijët.

Ndërkaq, shkaqet e dhunës në familje që janë të raportuara në polici kanë të bëjnë më së shumti me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale.

Në pajtim me të drejtën  ndërkombëtare, parimet e të drejtave të njeriut dhe kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryerësit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.(Luljeta Krasniqi – Veseli Rel.)

 
Leave a comment

Posted by on November 26, 2013 in News

 

Tags: , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: