RSS

101 nëntorët e krenarisë shqiptare

28 Nov

Gjergj Kastrioti Flamuri Shqiptar 28 nentor101 nëntorët e krenarisë shqiptare

Ndër shqiptarët, muaji nëntor, gjithmonë është karakterizuar me ngjarjet më të mëdha në historinë e këtij populli. Që nga 28 Nëntori i vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin ne Krujë, e deri në ditët e sotme, nëntorët kanë sjell për shqiptarët ngjarje të mëdha dhe kthesa të rëndësishme historike.

28 Nëntor i vitit 1443. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u kthye në qytetin e tij të lindjes në Krujë. I shoqëruar nga bashkëluftëtarët e vet e ngriti mbi kështjellën legjendare të Krujës Flamurin me shqiponjën dykrenore. Kjo ngjarje shënon një moment të veçantë historik për mbarë popullin shqiptar. E Skënderbeu iu drejtua popullit me fjalët: “Shqiptarë, lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu! Në zemra rronte liria e Atdheut. Vënie, pra, lart, o vëllezër, flamurin e Shqipnisë sonë. Tregojeni, pra, trimërinë tuaj, ashtu si burrat dikur moti…!”. Pothuajse, dy dekada pas ngritjes së Flamurit nga Skënderbeu, nëntori i lavdisë dhe krenarisë shqiptare, shndërrohet në një datë tjetër, në atë të dokumentit të parë të gjuhës shqipe “Formula e Pagëzimit”.

Më 8 nëntor të vitit 1462, në një kishë të Matit, është lëshuar një dokument në gjuhën shqipe, i cili shkruante:  “Un të pagëzoj pr’rement (t’) atit e t’Birit e t’Shpertit Shenjt”.  Këtë qarkore në gjuhën shqipe, aso kohe e kishte shkruar Kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli. Pal Engjëlli ishte një figurë historike, atdhetare e humaniste. Po ashtu, ai ishte bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit si dhe mik e moshatar i tij. Gjatë një vizite që ia kishte bërë dioqezës së tij, Pal Engjëlli e pa të arsyeshme që ta lëshoi këtë dokument, që u jepte leje prindërve t`i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë formulë nga pamundësia që të shkonin në kishë, për shkak të kushteve dhe rrethanave të kohës.

Për plot gjashtë shekuj, nëntorët e gjenin popullin shqiptar të pushtuar e në errësirë. Megjithatë, rrugëtimi drejtë çlirimit të tokave shqiptare dhe daljes nga errësira, nuk kishte të ndalur. Pas 600 vjet përpjekjeje e sakrifice, populli shqiptar arriti te një datë tjetër e muajit nëntor: Tek “Nëntori i shkronjave shqipe”. Më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir, u mbajt Kuvendi mbarëshqiptar, ku morën pjesë 50 delegatë nga gjitha viset shqiptare. Madje, edhe shqiptarët që jetonin në mërgatë, si Amerikë, Egjipt, Sofje, Rumani, Itali e vende të tjera. Në këtë Kuvend u shqyrtua dhe alfabeti i shkronjave shqipe. Qëllimi kryesor i këtij Kongresi ishte Alfabeti shqip i unisuar, ngase deri në këtë kohë përdoreshin edhe disa alfabete të tjera.

Për të përfunduar këtë çështje zgjodhën një Komision të cilin e udhëhoqi At Gjergj Fishta. Në “Lahutën e Malcisë”, Gjergj Fishta, me këtë alfabet, do t`iu këndonte dëshmorëve.  Rrugëtimi i shqiptarëve drejtë çlirimit nga kthetrat pushtuese dhe hapjes së dritareve të dritës, duke i mbyllur dritaret e territ, nuk kishte të ndalur. Pas katër vjetësh të Kongresit të Manastirit, historia shqiptare shënon një datë edhe më të rëndësishme. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, u mbajt Kuvendi i Pavarësisë, në përbërje të 40 delegatëve shqiptarë. Në krye të Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali, i cili shpalli Shqipërinë të lire dhe të pa varur, pikërisht me këtë datë, pra 28 nëntor 1912. Pas gjashtëqind vjetësh në qytetin e Vlorës ai ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Flamurin që e kishte përdorë edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, gjatë luftërave kundër ushtrisë osmane të asaj kohe.

Me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, njoftoi të gjitha fuqitë e mëdha për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë,si dhe vendet përreth saj që të heqin dorë nga okupimet e tokave shqiptare.  Por cila ishte mbështetja e fuqive të mëdha për pavarësinë e proklamuar më 28 Nëntor 1912, gjegjësisht kush ishte aleati kryesor në mbështetje të saj. Padyshim, është vetëm një emër, Vudrov Vilson, presidenti i atëhershëm amerikan. Ai, jo vetëm që ishte përkrahësi më i madh i pavarësisë, por ishte edhe armiku kryesor i atyre shteteve që dëshironin ndarjen e tokave shqiptare. Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tre javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por, duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë, t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i Presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore në vitet 1919-1920 dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Fuqitë evropiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. Por, kur Presidenti Wilson e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, Drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti”.

Dekada më vonë, nëntori u identifikua edhe me çlirimin nga nazi-fashistët. Populli shqiptar i bashkuar rreth Frontit Antifashist Nacional çlirimtar, u çlirua nga okupatorët fashist.  Më 28 nëntor 1955, në Prekazin e Ahmet Delisë e Tahir Mehes, krismat e martinës së Shaban Jasharit, e çanë qiellin përmes, duke lajmëruar lindjen e një djali në shtëpinë e Jasharajve. Në këtë datë historike u lind njeriu që do të ndryshonte historinë e mbarë kombit. E këtë histori, Adem Jashari, e shkroi me gjakun e tij. Adem Jashari, erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind ne ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në Prekazin e lavdive te përsëritshme. Në festa me krisma e këngë, por edhe në vdekje me krisma e këngë.

Demonstratat e popullit dhe studentëve të Kosovës, si edhe nga vise tjera të banuara me shqiptarë, në nëntor të vitit 1968, ishin ngjarjet më të fuqishme organizative, kundër regjimit serbo-sllav në kohën e Titos. Pa dyshim se edhe ky nëntor do të radhitet në nëntorët e lavdishëm të përpjekjeve shekullore të mbarë kombit shqiptar për bashkim në një trung të vetëm. Këto demonstrata kishin për qëllim realizimin e të drejtave shqiptare që ishin nën Federatën e atëhershme jugosllave.

Këto demonstrata jehuan fuqishëm nëpër gjitha qytetet e Kosovës, ndërsa propaganda jugosllave i quajti armiqësore dhe të rrezikshme. Populli dhe studentët rezistuan më të madhe, por një numër i madh i tyre ra viktimë,duke u keqtrajtuar, rrahur, burgosur dhe asgjësuar, nga regjimi titist –komunist. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e detyruan udhëheqjen jugosllave që ta shqyrtojnë Statusin Juridik të Kosovës, me ç`rast bënë disa ndryshime. Fillimisht, u ndërrua emërtimi nga “Kosovë-Metohi” në emrin Krahina Socialiste Autonome e Kosovës. Gjuha shqipe u sanksionua si gjuhë e dytë zyrtare. Këtë vit u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar. Po ashtu, në nëntor të këtij vitit, Kuvendi i Kosovës shpalli ligjin për themelimin e Universitetit të Prishtinës, i cili u jetësua në vitin 1970. Dhe më vonë miratohet Kushtetuta e parë Kosovës Autonome nën Federatën jugosllave. Mirëpo, pavarësisht këtyre ndryshimeve, që konsideroheshin si të “drejta për shqiptarët”, organizatat politike ilegale të shqiptarëve nuk e ndalën veprimtarinë e tyre për realizimin e synimeve madhore.

Gjuha shqipe, e cila bënë pjesë në familjen e gjuhëve indo-evropiane, është një gjuhë e përbërë prej dy dialekteve, që pasqyrojnë ndarjen krahinore të të folurit, veri-jug të Toskërisë dhe të Gegërisë. Për t`i mbytur përgjithmonë këto ndarësi mes një populli të vetëm shqiptar, në nëntor të vitit 1972, u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Motoja e këtij kongresi ishte: “Një komb, një gjuhë”. Sot kemi një gjuhë standarde që i shërben kulturës mbarë kombëtare. 28 nëntori i vitit 1997, për mbarë popullin shqiptar, e sidomos për Kosovën, shënon hapjen e një kapitulli të ri, të përpjekjeve për çlirim. Por, kësaj radhe përpjekjet janë përmes grykës së pushkës. Një ditë para kësaj date të lavdishme, në Llaushë të Skenderajt ishte vrarë mësuesi Halit Geci. Të nesërmen, pikërisht më 28 nëntor 1997, në varrimin e tij, u shfaqën tre njerëz më uniformë ushtarake. Ishin këta ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, që u shfaqën për herë të parë publikisht. Këta tre ushtarë u thanë haptas popullit se ekziston UÇK-ja dhe do të qëndroi kudo në Kosovë.

Pas kësaj date, ushtria që me gjakun e saj po shkruante çdo faqe të historisë së Kosovës, filloi të dalë në çdo fshat e qytet dhe kësaj force çlirimtare iu bashkua i madh e i vogël, për të luftuar kundër pushtuesit. Këta janë nëntorët e lavdisë e të krenarisë shqiptare. Nëntorët e përgjakur e të sakrificës së popullit, i cili për më se shtatë shekuj rrugëtoi drejtë çlirimit dhe bashkimit të tokave të copëtuara për t`i mbledhur në një trung të vetëm. Ndërsa, faqet e ndritura të historisë, me gjakun e saj i vulosi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, forcë e cila, me heroizmin e saj, u bë flamur që valëvitet kudo në hapësirat shqiptare.

 
Leave a comment

Posted by on November 28, 2013 in News

 

Tags: , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: