RSS

Prezantueset e Festivalit: Skena e RTSH, nder për ne

20 Dec

xhesika berberiPas ikjes së prezantueses së Festivalit të 52-të të Këngës, organizatorët e Radiotelevizionit, kanë gjetur tri të tilla. Në vend të Diellzës, përkrah Enkel Demit, stafi ka sjellë tri “zana”.

Aktorja Klea Huta dhe modelet Marinela Meta e Xhesika Berberi në përballjen e parë me mediat pas marrjes së ‘detyrës’ u dukën të sigurta për barrën që kanë mbi supe. Ndërsa e konsideruan fat, mundësinë e besimin e dhënë nga RTSH, ato premtuan angazhim maksimal në atë që kanë marrë përsipër. Modelet, e kanë eksperiencën e parë në prezantim, ndërsa Huta, përpos angazhimit si aktore, ka prezantuar edhe një nga edicionet e TopFest. “Kur më propozuan këtë punë, sigurisht u ndjeva e lumtur. Po-në ma tha zemra e jo mendja. Po punojmë që të krijojmë mes nesh një marrëdhënie të ngrohtë, në mënyrë që ta përcjellim atë dhe para publikut”, tha Klea.

E bukur, e shkathët dhe e zgjuar, aktorja e re, e konsideron angazhimin e saj në festival si kulmin e karrierës së vet, që është ende në hapat e parë. “Shpresoj se do dal mirë, e nëse po, suksesi do më hapë rrugë të reja. Besoj se me përkrahjen e Enkel Demit, nuk do të ketë asgjë të pakëndshme”,u shpreh Huta. Prej pak ditësh, ajo ka nisur provat edhe për një shfaqje në Teatrin e Metropolit, për të cilën thotë: “Kam rolin kryesor në pjesën e Hekuran Zhitit, ‘Nusja në thes’. Elma Doresi, është regjisorja dhe përshtatësja e saj”. Por, ky rol nuk është i vetmi angazhim në aktrim. Me fillimin e transmetimit në TVSH të serialit “Millenium”, imazhi i saj do të shfaqet në një tjetër dimension. E pyetur, nëse të qenit zëvendësuese e Diellza Kolgecit është për të problem, Klea vëren se çdo gjë ndodh për një arsye. “Ikja e paraardhëses është fati im, momenti im. Do ta shijoj deri në fund!”

Marinela Meta, është modele e JPFG. Në vitin 2012, u kurorëzua me çmimin e parë në konkursin e modelimit, ndërsa në prezantim e ka eksperiencën e parë. “Ftesa për në festival m’u bë nga Joni Peçi tri ditë më parë. Ishte e papritur dhe ndihem e nderuar. Skena e madhe më emocionon, por me ndihmën e Enkelit kam besim se do të shkojë mirë”, -thotë ajo.

Edhe Xhesika Berberi e ka pranuar propozimin e bërë për të qenë prezantuese në RTSH, pa hezitim. E shpallur Miss Univers në vitin 2011, modelja duket e lumtur dhe plot shpresë për detyrën e re. “Me ndihmën e Kelit do ia dalim. Nuk e kam problem që zëvendësoj Diellzën, në televizion ndodhin këto situata”, thotë Berberi. Për të, vështirësi përbën skena e madhe e Pallatit të Kongreseve. Hera e parë para një publiku të gjerë, në fakt, nuk është e lehtë për askënd. Gjithsesi, prezantimi është veçse një pjesë e festivalit, më e rëndësishmja e të cilit janë këngët. Se si do jenë ato, sa do ta arrijnë nivelin e përvitshëm të cilësisë artistike, sa do ta bëjnë për vetë jurinë, publikun, e më tej akoma, ku do ta çojnë Shqipërinë në Eurosong, kjo mbetet për t’u parë. Paçka debatit për prezantuesit a veshjet, sfida e vërtetë e këtij konkursi është tjetërçka: niveli i këngëve. Vetëm ky, pra vetëm niveli, nuk duhet kurrsesi të marrë tatëpjetën, ndonëse sivjet, janë vetëm 16 këngë që do ti njohim në datat 26,27 dhe 28 dhjetor.

Takimi
Për të zbehur shijen e hidhur që la ikja e Kolgecit dhe për të prezantuar imazhet e reja, organizatorët e Festivalit të Këngës në RTSH, mblodhën dje në mbrëmje mediat. Petri Bozo, regjisori i këtij festivali i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, për t’ia lënë fjalën Ed Zhulalit. Ndërkaq, drejtori artistik, vërejti se përpos 16 konkurrentëve, ka edhe këngëtarë big që do interpretojnë, ndërsa bëri me dije se në natën e tretë, me ndihmën e Teatrit të Operës, një muzikal do të shfaqet në skenën e konkursit më të rëndësishëm të këngës. Përveç Elhaida Danit e ftuar është edhe fituesja e vjetshme e Eurosong, Emmelie Charlotte.

Juria, ende e pashpallur, do të mblidhet këto ditë, e sa i takon asaj, Zhulali uroi që emrat e saj të jenë profesionalë e të kenë dinjitet personal, për të bërë punën sa më mirë.

Me rimarrjen e fjalës, Bozo, iu kthye risive të konkursit, siç është prezantimi grafik i këngëve, xhirimet për të cilin tashmë kanë mbaruar.
Handikapi i prezantimit duket se është tejkaluar, nëse kemi parasysh sigurinë e regjisorit, i cili gjatë ditës së djeshme ka realizuar edhe klipin me katërshen prezantuese. “Ne do ia lehtësojmë barrën Kelit për një partnere femër, tha Bozo me të qeshur, -duke i sjellë tri”. Më tej, duke komentuar edhe lajmet e publikuara në “GSH”, mbi tërheqjen e Kolgecit, ai tha se festivali, që ka gjysmën e jetës së shtetit të pavarur, duhet mirëkomentuar, për shkak të rëndësisë që ka dhe cilësisë që përcjell.

Prezantuesi Enkel Demi, nuk deshi të komentonte mbi asgjë që ka ndodhur, ndërsa nuk harroi të tregonte anën e tij hokatare. “Joni Peçi na ka dhënë një recetë të re, lëng mishi me limon”, tha me të qeshur gazetari, duke iu referuar intervistës së djeshme në “GSH” të stilistit, sipas të cilit kjo ‘recetë’ ishte një nga kërkesat e Kolgecit. (bw,tupani)

78067_2

 
Leave a comment

Posted by on December 20, 2013 in News

 

Tags: , , , , , , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: