RSS

Nora Istrefi: Dua të kem një fëmijë

06 Oct

nora istrefi dasma 2Nora Istrefi është një vajzë që flet ngadalë, me zë të ulët, e qetë dhe që merr kohë përpara se të kthejë një përgjigje. Duket femër e matur dhe e vetëdijshme për pamjen dhe suksesin që ka. Megjithëkëtë për asnjë arsye nuk i bën bisht punës. Ushtrohet në sallën e provave të spektaklit të Vera Grabockës “Dance with me” pa u ankuar. E takuam pikërisht në palestrat ku artistët pjesëmarrës të show-t që prezanton Alketa Vejsiu përgatisin koreografitë e tyre. Nora ishte e lirshme në bisedë, po edhe natyrë serioze. Na rrëfeu me dëshirë detaje nga jeta e saj, dëshira e ëndrra që ndoshta deri më tani nuk i ka thënë me zë të lartë. Këngëtarja seksi nga Kosova tregon për “Bluetooth” që tani, për herë të parë në jetë, ndjen dëshirën për t’u bërë nënë.
Nora po qëndron në Tiranë? Deri kur do të jetosh këtu?
Deri në fund të spektakli “Dance with me”, pra deri në dhjetor. Jam vendosur këtu në një hotel që na e ka siguruar produksioni bashkë me Robertin. Fundjavave më është dhënë mundësia që të lëviz për koncerte. Për shembull këtë javë shkoj për të kënduar në Zvicër.
Kush ta bëri propozimin për të marrë pjesë në “Dance with me”?
Stafi. Më mori dikush nga produksioni dhe ne vendosëm që të vijmë në Tiranë për të folur nga afër e për të diskutuar detajet pasi në telefon nuk thuhen të gjitha. Erdhëm me Robertin në Tiranë dhe u takuam me Verën, Alketën e Valbonën. Ato më shpjeguan pak a shumë se kush ishin pjesëmarrësit e tjerë, kush është partneri im, sa javë do të zgjasë e të gjitha këto. Pastaj ne u rikthyem dhe u menduam pak.
Sa pak? Pas sa kohësh pranove?
Po ngaqë ika një javë me pushime, flasim për kohën para dasmës, kisha mundësi të mendohesha mirë. Pastaj vendosa.
Çfarë ta mbushi mendjen që the “Po”?
Vallëzimin e kam pasur gjithmonë shumë qejf, e kam pasion.
Na kanë thënë se ti ke bërë edhe shkollë për kërcim. Është e vërtetë?
Jo tamam shkollë. Mirëpo kur kam qenë në klasën e pestë të shkollës fillore kam bërë 1 vit e gjysmë balet. Më pas në Prishtinë filloi lufta dhe pasi u kthyem unë isha rritur e nuk munda ta vazhdoj. Më kishte mbetur shumë merak. Veç kësaj, sigurisht që përmes këtij spektakli ne marrim mësime profesionale nga Albi Nako, të cilat na shërbejnë edhe për koncerte apo për performancat në videoklipe. Do të ketë edhe vallëzime moderne si RNB, Hip-Hop, kërcime që mua më pëlqejnë shumë ti mësoj e kjo më bëri më tepër përshtypje.
Kur të këndosh në Zvicër këtë fundjavë, ke në plan të bësh edhe ndonjë koreografi nga këto që ke mësuar deri tani?
Është shumë herët në fakt. Tani ca lëvizje do i përdor, por të gjitha nuk guxoj (qesh). Unë kam krijuar raporte shumë të mira me balerinët dhe kur të mbarojë “Dance with me” sigurisht që do të mbaj kontakte për projekte të mëtejshme të miat.
Sa i lodhshëm është ky angazhim?
Jo, nuk është i lodhshëm. Më shumë është qejf. Mendoja se do të ishte më e vështirë, por jo. Punohet dalëngadalë, çdo ditë nga pak.
Partneri yt në këtë show është aktori i mirënjohur Gent Bejko. Njiheshit nga afër më herët?
Jo. Për herë të parë e kam njohur këtu.
E sa herë jeni zënë deri tani?
Asnjëherë sepse Genti është tip që çfarëdo që t’i thuash menjëherë ta kthen në hajgare, në humor (qesh). Deri tani se kam parë asnjëherë me nerva, ka qenë i qetë e në paqe me veten (qesh). Tani ka filluar të vijë edhe në orar në prova kështu që e ka përmirësuar edhe të vetmen gjë që nuk shkonte dhe është shumë i mirë. Madje ka filluar vjen para meje dhe po më pëlqen ndaj s’kemi pse të zihemi (buzëqesh).
Sa herë në ditë bëni prova?
Vetëm një herë në ditë dhe varet se sa shpejt mundemi që t’i kapim lëvizjet dhe koreografinë e javës.
Si e kalon pjesën tjetër të kohës në Tiranë?
Tani kemi filluar të shkojmë në palestër bashkë me Robertin. Pastaj dalim për shëtitje, kryejmë ndonjë punë në mbrëmje me email e rrimë në kontakt me bashkëpunëtorët e mi të muzikës për këngë e kësi gjërash. Darkave takohemi edhe me Sabri Fejzullahun e bashkëshorten e tij sepse jemi në një hotel.
Ju kosovarët e keni si zakon t’i merrni bashkëshortët me vete kur shkoni diku për punë?
(qesh) Të dy, edhe Roberti edhe e shoqja e Sabriut kanë ardhur që mos të na lënë vetëm sepse sigurisht që dita këtu është e lirë pasi mbarojmë ushtrimet dhe nuk ke çfarë bën. Po të ngeleshim vetëm do të ishte e vështirë, nuk do të ndiheshim mirë (qesh).
Merr reagime nga njerëzit kur të shohin shëtitje në rrugët e Tiranës?
Po, tepër. Më kërkojnë edhe foto gjithashtu.
Ku merr më shumë reagimet këtu apo në Kosovë?
Gjithandej ku janë shqiptarët, kudo njësoj. Madje edhe në shumë vende jashtë në Europë ku ne ndihemi si të çlirët me mendimin që nuk na njeh kush, ndodh që na njohin shumë. Sepse shqiptarë ka gjithandej dhe mua s’më ka ndodhur ndonjëherë që dikush të më thotë “Oh, s’të njoha”. Menjëherë më dallojnë kudo.
Pas kaq shumë vitesh në skenë, a të ka lodhur ndopak gjithë kjo vëmendje?
Jo. Më pëlqen, nuk më ka lodhur.
Ke miq të tjerë në Tiranë? Ke shoqëri me koleget vendase?
Kam pasur raporte të mira shumë me të gjitha, mirëpo ngaqë vija shumë rrallë në Tiranë nuk kemi dalë shpesh bashkë. Tani më së shumti kontaktoj me vajzat që janë këtu në spektakël dhe me ato kam raporte edhe më të mira se ç’i kishim. Por pasi që jemi në të njëjtin hotel me Sabriun dhe për momentin kam edhe Robertin afër, më shumë po na bie të rrimë bashkë. Kemi dhe ca shokë të Robertit të cilët jetojnë këtu dhe dalim bashkë me gratë e tyre apo me dashnoret.
Dashnore u thoni të dashurave në Kosovë?
(qesh) Në fakt neve themi “me femnën e vet”. Kështu (qesh).
S’ka kaluar shumë kohë nga dasma juaj e cila ishte publike më shumë se çdo ceremoni tjetër. Ishte dëshira juaj që të ndiqej nga kushdo apo iu doli situata nga dora?
Me thënë të drejtën, të ishte për mua nuk do të kishim bërë dasmë fare. Kishim kohë që e mendonim këtë punën e dasmës, por që gjithmonë i thosha Robertit që mos të shpenzojmë dhe të bëjmë vetëm një pushim diku. Ne në fakt ishim të kurorëzuar ndaj mendoja që të mos bënim fare festë. Por ai kishte shumë dëshirë dhe nuk hoqi dorë. Unë isha shumë e angazhuar me koncerte verore, po ashtu edhe Roberti por i kisha thënë: Vendos ti e bëj çfarë të duash, unë do të kujdesem vetëm për pjesën time, do vij me fustan të bardhë.
Kështu ndodhi realisht? U mor Roberti me të gjitha përgatitjet?
Po, realisht ashtu ndodhi. I bëri ai të gjitha.
Të pëlqeu ty që Roberti kishte zgjedhur ta bënte arredimin e sallës kuqezi?
Po, por aty kam ndërhyrë dhe unë pak. Ai duke e ditur shijen time, jemi konsultuar. Megjithëse nuk ka qenë gjithçka zgjedhje e tij pasi më shumë edhe ka folur me stafin që organizonte dasmën. Ndërsa sa i përket programit, mysafirëve, të gjitha kanë qenë surprizë për mua dhe kjo më ka pëlqyer më së shumti, që nuk e kam ditur se çfarë do të ndodhte e çfarë do të shihja.
Kur flet për dasmën, cila është gjëja e parë që të vjen në mendje? Momenti më i veçantë?
Padyshim ishte kur vesha fustanin e bardhë. U emocionova shumë. Faktikisht unë u emocionova që përpara dasmës kur provova fustanin dhe hodha vellon e bardhë. Aty filloi mami të qajë e para pastaj dhe unë nuk u përmbajta. Shumë emocionues ishte edhe momenti kur kemi hyrë bashkë me Robertin në sallë përpara të gjithë të pranishmëve, mysafirëve, familjarëve, kolegëve, shoqërisë. Edhe ajo ishte emocionuese.
Sa vjet ka historia e dashurisë me Robertin?
Shtatë vite kemi bashkë.
Ka ndryshuar marrëdhënia jua pasi bëtë dasmën?
Jo, është njësoj. Në fakt kjo më frikësonte e thosha me vete po të bëjmë dasmën, kushedi do të na ndryshojë raporti. Kështu e mendoja, por tani më duket gjithçka e njëjtë, pa kurrfarë ndryshimi absolutisht sepse ne edhe kemi bashkëjetuar.
Është e vërtetë që pas ardhjes nga muaji i mjaltit keni shkuar të jetoni në një vilë luksoze në Prishtinë?
Jo nuk është e vërtetë. Ne jetojmë ende në apartamentin ku kemi jetuar deri më tani. U bë gati katër vite që jetojmë bashkë. Kemi në plan në të ardhmen që të marrim një shtëpi më të madhe, por tani nuk kemi blerë gjë. Po mendonim të blinim, por pasi jemi vetëm 2 vetë për momentin na mjafton shtëpia që kemi.
E kur do të bëheni 3 vetë, ose edhe më shumë?
Epo me kismet, nuk e di (qesh). Unë nuk kam shumë qejf që t’i planifikoj gjërat, por tani nuk është se nuk e dua një fëmijë. E dua!
Nuk je ti nga ato artiste që ke frikë se do ndërpresësh karrierën e do të të prishet trupi?
Jo, s’do më prishet trupi (qesh). As për karrierën s’e kam problem. Tani jam gati ta ndërpres për të patur një fëmijë. Tani po! Më herët nuk isha. Jo prej karrierës, por më dukej vetja shumë e re për të pasur një obligim të tillë.
Sa vjeçe je tani?
Tani jam 28 vjeçe. Mendoj se ka ardhur koha.
A e ka dhe Roberti këtë dëshirë?
Roberti e ka pasur këtë dëshirë edhe shumë më herët, por unë nuk ja kam plotësuar (qesh). Ai i do shumë fëmijët. Edhe unë i dua shumë por nuk e ndjeja deri tani. Por kam filluar të kem dëshirë. Siç e thashë unë nuk bëj plane sepse besoj shumë në Zot.
Ku do e festosh Bajramin?
Zakonisht Bajrami tek ne festohet në shtëpi, priten mysafirë dhe hamë drekën të gjithë bashkë. Do e festoj në Kosovë.
Tek shtëpia jote apo tek e Robertit?
Tek shtëpia ime se Robertin me vete e kisha (qesh). Më ka marrë malli për mamin, motrat, vëllain. Do shkojmë atje bashkë me Robertin, do hamë drekën të gjithë së bashku pastaj unë do nisem me avion për në Zvicër sepse e kam vonë orarin e fluturimit. Do shkoj direkt në koncert dhe pastaj kthehem.
Për ty flitet shumë në media. Nga të gjitha lajmet që ke parë për veten deri më tani, cili të ka mërzitur më shumë?
Zakonisht shkrimet nuk më bëjnë përshtypje edhe pse i lexoj dhe më intereson se çfarë thuhet e ç’ka shkruhet për mua. Nuk është se më ka mërzitur shumë diçka. E vetmja gjë që nuk më pëlqen është se shpesh gazetarët ia humbin vlerat artistëve. Sidomos kohëve të fundit që shkruajnë gjëra koti, për shembull nëse në një koncert në Tiranë janë mbledhur shumë njerëz e ka dalë një koncert shumë i suksesshëm, nuk shkruajnë për këtë, por marrin një foto ku shihet suksesi dhe komentojnë “Nora qenka veshur kështu, Nora me vithet si Kim Kardashian etj”.
Nuk të pëlqen që të t’i krahasojnë vithet me Kim Kardashian?
Jo, ky është krahasim i mirë dhe më pëlqen, por së paku të thuhet që puna ime kishte sukses. Në të vërtetë as nuk dua që të më krahasojnë me Kim-in se unë i kam origjinale.
Pse Kim Kardashian i ka të bëra?
Ashtu thuhet…
Edhe ti ke ndryshuar shumë në pamje me kalimin e viteve. Madje disa media në Kosovë shkruajnë se ke bërë ndërhyrje në trup dhe fytyrë? Është e vërtetë kjo? Ke bërë ndonjë ndërhyrje estetike?
Shihet qartë kur unë jam pa make-up dhe ndërhyrja dallohet. Ndërhyrja e vetme që unë kam bërë, është në hundë. Pas disa vitesh nisi të më krijohej një problem me kockën e hundës që m’u deformua dhe as syzet e diellit s’mund t’i mbaja. Unë e bëra për dy arsye, shëndetësore dhe estetike. Pasi kocka e hundës nisi të më deformohej dhe sigurisht që duhet ta rregulloja. Është e vetmja ndërhyrje në trupin tim, s’kam prekur asgjë tjetër. Kanë thënë edhe se i kam fryrë buzët, por s’është e vërtetë. Thjesht gjithmonë i lyej më tepër se sa i kam të miat.

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb/Tupani)

 
Leave a comment

Posted by on October 6, 2014 in News

 

Tags: , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: