RSS

Tag Archives: manikyri është toksik

Alarmi i SHBA-së: manikyri është toksik


Te produktet kozmetike është zbuluar prania e substancave shumë të dëmshme për shëndetin, gjë që nuk shkruhet as në paketim
Duart e kuruara dhe me një shtresë të hollë manikyri që është në modë, mund t’ju dhurojnë më shumë bukuri. Ndoshta ju nuk e dini se manikyri është i rrezikshëm për shëndetin tuaj. Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti i Kalifornisë i Kontrollit të Substancave Toksike, disa produkte për kujdesin e duarve përmbajnë substanca toksike, të cilat janë të pranishme edhe në ato kozmetike, që zakonisht mendohet se nuk ka.

Kërkimi

Autoritetet amerikane i referohen në veçanti analizës së 25 produkteve kozmetike që futen në kategorinë e manikyrit, pra nga manikyri më i thjeshtë, te produktet e përdorura për rindërtimin dhe dekorimin e thonjve, të marra në disa sallone bukurie. Afërsisht gjysma e produkteve të marra në analizë janë helmuese dhe më e keqja është se në paketim nuk shkruhet asgjë. Këto produkte përmbajnë ingredientë si tolueni, dibutil ftalat (DBP) dhe formaldehide, substanca që përveç se janë irrituese për rrugët e frymëmarrjes, për shkak të avullueshmërisë së tyre, mund të kenë efekte negative në sistemin endokrin dhe zhvillimin e fetusit. Nga studimi u vu re se dhjetë produkte të shitura si jo toksike përmbanin toluen dhe katër DBP. Gjithashtu sasia e substancës toksike e pranishme në këto produkte shpesh ishte më e lartë se ajo e gjetur te produktet kozmetike që e deklaronin përbërësin në etiketë.

Bukuri e sigurt

Kjo është situata aktuale përtej oqeanit. Por a mos vallë edhe ne duhet të fillojmë t’i shohim me dyshim shishet e manikyrëve me ngjyra? “Pa u alarmuar shumë, ju duhet t’u kushtoni më tepër rëndësi produkteve kozmetike që blini për thonjtë. Shumë kompani mund t’i ndjekin rregullat, por rreziku mund të vijë nga produktet e tjera që kanë pushtuar tregun”, thotë një kimiste e produkteve kozmetike. Megjithatë, duke u bazuar te këshillat e specialistëve, mund të përcaktojmë se cilët përbërës mund të përdoren, cilët jo, cilët lejohen në doza të caktuara dhe kushtet e tyre. Formaldehidi mund të jetë i pranishëm deri në një farë mase, ndërsa DBP-ja është ndaluar nga Bashkimi Europian prej disa vitesh. “Kompanitë e prodhimit nuk kanë interes të përdorin përbërës toksikë, edhe për faktin se e dinë që janë të detyruara të bëjnë vlerësime mbi sigurinë e produktit. Po ashtu, ‘treshja-toksike’ mund të zëvendësohet me përbërës të tjerë jo të dëmshëm, pa rrezikuar produktet e kozmetikës”, shton specialistja. Sipas ekspertes, një rrezik tjetër përbën edhe ena e papërshtatshme, që me kalimin e kohës mund të lëshojë substanca të dëmshme, të cilat nuk paraqesin rrezik në vetvete. Në raste të tjera disa përbërës toksikë mund të zhvillohen kur produkti përdoret, si për shembull disa drejtues për flokët që çlirojnë formaldehide kur nxehen. Kjo është arsyeja që duhet të informoheni mirë mbi produktet që blini dhe të ndërgjegjësoheni ndaj zgjedhjeve që bëni.

Më kujdes

Përdorimi i trajtimeve të bukurisë mund të mos ketë gjithmonë efektet pozitive që priten: gjatë përdorimit mund të ndodhë skuqja e përkohshme e lëkurës te personat që janë të ndjeshëm ndaj disa përbërësve të caktuar (që në vetvete s’janë të dëmshme), mund të acarohen rrugët e frymëmarrjes për shkak të avullimit të tretësve dhe të haseni me efektet e vërteta toksike nga prania e substancave të dëmshme, që nuk janë vërejtur menjëherë. Për ekspertët, edhe pse ekspozimi ndaj disa komponimeve të caktuara nuk është aq shqetësues, nëse mund ta shmangni është gjëja e më e mirë që mund të bëni. Produkteve kozmetike duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje profesionistët që punojnë nëpër sallonet e ndryshme të bukurisë, ku përdoren në sasi të mëdha dhe për shumë orë në ditë. Përmirësimi i ajrosjes së vendit të punës, përdorimi i doreza dhe maskave është një informacion që njerëzit të kuptojnë se sallonet e bukurisë janë vendi ku njerëzit shkojnë për t’u zbukuruar e jo për të dëmtuar shëndetin.(yllpress/tupani)

 
Leave a comment

Posted by on September 16, 2012 in News

 

Tags: