RSS

Miss Gjermania 2012 Shqiptarja Martina Ivezaj,refuzoi Playboy

16 Sep

Martina Ivezaj është modele shqiptare shumë e njohur në Gjermani. Ajo madje u përzgjodh si një nga vajzat më të bukura të këtij vendi për të përfaqësuar Gjermaninë si shtet në Miss World 2012, një event mjaft i rëndësishëm në botën e bukurisë. “Mbi të gjitha ndihem mirë, sepse jam shqiptare që bën modeling në një shtet tjetër. Kështu mund t’u tregoj njerëzve këtu në Gjermani e më tej se çfarë jemi ne shqiptarët”, pohon Martina, veç të tjerave. Modelja simpatike vjen në këtë intervistë duke na treguar më shumë për veten, lidhjen me modën, por edhe sesi e sheh ajo të ardhmen e vet në këtë fushë.

Martina, na thoni diçka për veten tuaj. Ku jeni lindur dhe ku e keni kaluar fëmijërinë tuaj?

Unë jam 23 vjeçe dhe jam me origjinë nga Malësia e Madhe e Tuzit. Prindërit i kam andej, ndërsa vetë jam lindur dhe jam rritur në Gjermani. Unë jam rritur aty, ndërsa prindërit e mi kanë ardhur përpara 37 viteve në Gjermani.

Si është jeta juaj aty?

Jam shumë e lumtur me jetën time. Jetoj në një shtet afër Mynihut, ku kam mbaruar shkollën dhe tani kam edhe një punë të mirë aty. Sigurisht që kam edhe shoqërinë time.

Prej sa kohësh keni nisur të merreni me modeling?

Kam qysh prej 4 viteve që kam filluar të merrem me  modelim. Puna e parë si modele ishte për një revistë të rinjsh, e cila është mjaft e njohur këtu në  Gjermani.

Vlerësimet duken mjaft të larta, po të kemi parasysh se ju përfaqësuat shtetin gjerman në “Miss World 2012”… Si u përzgjodhët për këtë event?

Ishte një “casting call” në Berlin, ku më thirrën që të marr pjesë dhe fitova.

Në Kinë pjesëmarrëse ishte edhe shqiptarja Floriana Garo. Ç’marrëdhënie keni me të?

Florianën e falenderoj shumë e shumë. Ishte një vajzë shumë e mirë dhe jemi bërë shoqe të mira. U ndjeva shumë e lumtur kur u takova me Florianën, dy shqiptare në një event botëror. Jemi kënaqur shumë, kemi qeshur dhe ia kemi kaluar shumë bukur. Shpresoj se Florianën do ta shoh sërish shumë shpejt.

Mund të na thoni si i vendosët kontaktet e para me modën?

Kontakti im i  parë me modën ishte për revistën e të rinjve, ku redaktori i kësaj reviste më pyeti nëse kisha dëshirë të pozoja për të. Ajo ishte shtysa ime e parë drejt kësaj fushe.

Kush e spikati fillimisht bukurinë tuaj?

Prindërit (qesh).

Shpesh jeni cilësuar si modelja që po çmend gjermanët. Si ndiheni kur ju komplimentojnë për pamjen tuaj?

Normalisht ndihem shumë mirë. Mbi të gjitha ndihem mirë sepse jam shqiptare që bën modeling në një shtet tjetër. Kështu mund t’u tregoj njerëzve këtu në Gjermani e më të tej se çfarë jemi ne shqiptarët.

Martina, cilat kanë qenë  ofertat më të mira që keni marrë si modele?

Të gjitha ofertat që kam pranuar kanë qenë oferta të mira. Nuk mund t’i diferencoj nga njëra-tjetra, sepse secila punë kishte diçka ndryshe dhe kjo gjë më pëlqente shumë.

Është e vërtetë se modelet paguhen shumë dhe kanë një jetë luksoze? Si është e juaja?

Është e vërtetë që modelet paguhen mirë, kur di të zgjedhësh të punosh me njerëz profesionistë dhe seriozë. Unë jam e lumtur me jetën time!

Shumë modele të njohura janë të dashurat apo të fejuarat e futbollistëve më të paguar. Ju a ju pëlqejnë futbollistët?

(Qesh) Ka futbollistë që më pëlqejnë si pamje, ashtu si çdo vajze tjetër, besoj.

Nëse po, me cilin prej tyre do të dëshiroje të kishe një histori dashurie?

Nuk mund të them me cilin do të dëshiroja një histori, sepse nuk kam rënë deri tani në dashuri me dikë.

Sa të vështira janë lidhjet e dashurisë për stilin e jetës që ka një modele?

Një mashkull duhet të pranojë jetën e modeles dhe nuk duhet të jetë xheloz. Një modele është rrallë në shtëpi, sepse punon shumë. Vetëm kur mashkulli mund ta kuptojë këtë, atëherë lidhja mund të funksionojë.

Mashkullin e jetës suaj do ta preferonit shqiptar apo të huaj?

Normalisht që e preferoj mashkullin e jetës ime shqiptar, por gjithsesi vetëm Zoti di ku bie dashuria.

Sa e njihni mentalitetin shqiptar?

Prindërit qysh fëmijë na kanë rritur me tradita dhe me mentalitetin shqiptar.

Të ka qëlluar shpesh të marrësh oferta të pandershme?

Unë jam pjesë e një “Modelagency” dhe aty nuk marr kurrë oferta të pandershme, por normalisht që kam edhe oferta modelimi private ndonjëherë. Megjithatë, deri tani nuk më ka ndodhur të marr asnjë ofertë të tillë.

A do të pranoje të pozoje nudo apo për Playboy, nëse do të të bënin një ofertë marramendëse?

Kam pasur ofertë për të pozuar për “Playboy”-n, por nuk kam pranuar. Nuk është niveli im që të pozoj nudo.

Jeta si modele dihet se ka dhe një kohë skadence. E ke menduar çfarë do të bësh kur mos të jesh më aktive si modele?

Unë nuk punoj vetëm si modele. Punën kryesore e kam të sigurt. Jam gjithashtu menaxhere në një kazino. Me pak fjalë, nuk e kam problem se kur modeloj dhe jeta ime nuk varet vetëm nga puna si modele.

Ke vuajtur ndonjëherë nga paragjykimet?

Për mua e rëndësishme është që të më duan, ata që më njohin se si jam.

Cili është stilisti i njohur për të cilin do të doje të sfiloje patjetër?

Patjetër për Versace. Ju falenderoj shumë dhe shpresoj që së shpejti të vizitoj Shqipërinë e bukur.

Gazeta MAPO

 
Leave a comment

Posted by on September 16, 2012 in News

 

Tags: , , ,

Leave a comment